
Kirurgu francez pranon përdhunimin e 299 pacientëve, shumica fëmijë
Prokuroria kërkon 20 vite burg për Joel Le Scouarnec, një nga abuzuesit më të mëdhenj në historinë e Francës
Pranimi i fajit, por pa kujtesë
Le Scouarnec ka pranuar fajin për 111 përdhunime dhe 189 sulme seksuale, duke e kthyer rastin e tij në një nga më të rëndët në historinë moderne të vendit.
Megjithëse ka kërkuar falje, shumë nga avokatët e viktimave kanë vënë në dyshim sinqeritetin e tij, pasi përgjigjet e tij gjatë gjykimit shpesh ishin monotone dhe të përsëritura. Në disa raste, ai deklaroi se nuk i kujtohej çfarë kishte bërë.
I dënuar më herët për pedopornografi
Le Scouarnec ka qenë i dënuar edhe më parë, në vitin 2005, për posedim të materialeve pedopornografike, por sërish i është lejuar të vazhdojë profesionin e kirurgut deri në pensionimin e tij në vitin 2017.
Ai ndodhet aktualisht në burg pas një vendimi të mëparshëm në dhjetor 2020, ku u dënua me 15 vite burg për përdhunimin dhe abuzimin seksual ndaj katër fëmijëve, përfshirë edhe dy mbesat e tij.
Reagimi i viktimave dhe shoqërisë
Viktimat dhe familjarët e tyre kanë organizuar protesta jashtë gjykatës së Vannes, në Bretanjë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor. Ata kanë kritikuar heshtjen e botës politike dhe mungesën e reagimit publik, duke kërkuar një komision ndërministror për të hetuar dështimet sistemike që lejuan këtë abuzim të vazhdojë për dekada.
“Ky përbindësh u lejua të ekzistojë nga një shoqëri që mbylli sytë,” tha Manon Lemoine, 36 vjeç, e përdhunuar nga Le Scouarnec në moshën 11-vjeçare.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet të mërkurën, ndërsa rasti ka ngritur alarmin për një dështim të sistemit shëndetësor dhe gjyqësor në mbrojtjen e më të pambrojturve.