Në ambientet e “kinostudios” së SHQUP-it, është publikuar me bujë episodi më i fundit i serialit dramatiko-komik “Farsa Elektorale 2025”, ku protagonisti i përhershëm, Sali Berisha, rikthehet në rolin e analistit, regjisorit, montazhierit dhe narratorit të gjithologjisë zgjedhore shqiptare.

Në një deklaratë dramatike për mediat, ish-kryeministri prezantoi disa “video tronditëse”, të cilat – sipas tij – zbulojnë realitetin e errët dhe komplotin e madh të votave të fshehta, trenave bullgarë dhe kutive të dyshimta. “Unë kam zgjedhur vetëm 6 video nga 60, 600, 6000,” – tha Berisha, duke treguar një prirje të fortë për matematikë gjeometrike ose mitike, në varësi të interpretimit.

Skenarët e episodit përfshijnë:

  • Komisionerë që “fusin dorën e zezë në kuti”, me dyshimin se janë xhiro nga seriali “House of Votes”.
  • Votues profesionistë me dy apo katër fletë votimi, që kanë kaluar audicionet për filmin e ardhshëm “Fast & Vote-ious”.
  • Treni bullgar, tashmë një figurë mitike, rikthehet si simbol i trafikut të votës, me një kthesë të re: ai del nga dhoma e errët dhe futet në kutinë e bardhë.

Në vijim të denoncimeve, Berisha akuzon Edi Ramën për regjimin e skenarit, Altin Troplinin për regjinë e dhunshme dhe të gjithë PS-në për produksionin ekzekutiv të manipulimit, në një bashkëpunim të frytshëm me “Netflix-un e Dibrës”.

Kritika politike:
Zëri i arsyes dhe i humorit publik e ka pritur këtë serial me duartrokitje ironike dhe disa mimika të lodhura. Spektatorët pyesin nëse episodi i ardhshëm do përfshijë votën me telepati, komisionerë holografikë apo kamerat e CIA-s në qendrat e votimit.

Megjithatë, SHQUP njofton se sezoni do vazhdojë, me ritëm ditor, deri në shpalljen e fitores morale të zgjedhjeve të 2025-s – një fitorje që, për çudi, ka ndodhur në çdo proces që prej vitit 2013, por vetëm në skenarin e tyre.

Në fund të ditës, një gjë është e qartë:
Televizioni i opozitës ka gjetur më në fund serialin e vet më të ndjekur, ku realiteti shërben vetëm si material i lirë për fabul dhe vota është vetëm një rekuizitë në një teatër pa spektatorë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu