Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se nuk ka vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë e gjithë vendit.

KFOR-i e tha këtë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të premten, pas pretendimeve nga autoritetet kosovare se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit.

Të premten në mëngjes, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për media se “kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu