
SAN FRANCISCO (AP) — Banorët e një qyteti në zonën e Gjirit të San Franciskos janë në kërkim të një ketri agresiv që ka dërguar të paktën dy persona në urgjencë për trajtim mjekësor.
Joan Heblack i tha televizionit ABC KGO-TV se po ecte në lagjen Lucas Valley të San Rafaelit kur një ketër, pa paralajmërim, e sulmoi në këmbë duke e gërvishtur dhe kafshuar.
Edhe Isabel Campoy raportoi se u sulmua në të njëjtën zonë. Ketri u hodh nga toka drejt fytyrës së saj dhe përfundoi në krahun e saj, duke e lënë të përgjakur.
Të dyja gratë përfunduan në urgjencë, raportoi televizioni në lajmin e së hënës.
Fletushka paralajmëruese janë shpërndarë tani, duke njoftuar banorët se ketri nuk është për t’u marrë lehtë dhe se më shumë se pesë persona janë sulmuar nga një “ketër shumë i keq” që “del nga askundi”.
Lisa Bloch nga organizata Marin Humane tha se nuk kanë pasur raportime për sulme nga ketri që nga mesi i shtatorit. Nëse ai shfaqet sërish, organizata do të bashkëpunojë me autoritetet shtetërore për ta larguar.
“Kemi parë sjellje të tillë më parë,” tha ajo. “Pothuajse gjithmonë ndodh sepse dikush ka ushqyer kafshën.”
Lajmi i mirë është se ketri nuk është bartës i tërbimit. Ajo këshillon që njerëzit të mos ushqejnë kafshët e egra.
San Rafael ndodhet në qarkun Marin, rreth 32 kilometra në veri të San Franciskos.