
Policia e Shtetit ka bërë bilancin e aksionit kundër zjarrvënieve në vend, nga muaji qershor deri më 14 gusht. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe janë identifikuar 137 autorë të dyshuar, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.
Forcat Kombëtare të Sigurisë, “Shqiponjat”, patrullat e përgjithshme dhe forcat operacionale vijojnë të jenë në terren për evakuimin e banorëve, asistimin e Emergjencave Civile dhe mbështetjen e zjarrfikësve. Operacionet po mbikëqyren me dronë për të zbuluar në kohë personat që ndezin zjarre, duke rrezikuar pronat, pyjet, kullotat dhe jetën e njerëzve.
Policia u bën thirrje qytetarëve, sidomos blegtorëve dhe fermerëve, të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo pastrimin e tokave pa marrë lejen dhe masat e duhura. Kujtohet se zjarrvënia, edhe nga pakujdesia, përbën vepër penale.