
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla
kërkoi që Kuvendi të respektojë rregulloren dhe të qartësohet fati i kërkesës së opozitës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
“Bazuar në nenin 49, nëse nuk shkojmë në votim, kërkesa bie. O janë tërhequr nga kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës, ose ju lutem shumë, edhe për një transparencë të publikut, jepini fjalën kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, i cili të bëjë transparencë për gjithë këtë proces, sepse përgjegjësinë e mbajmë ndaj qytetarëve”, – u shpreh ai.
Replika e plotë:
Zoti kryetar, e falënderoj deputetin parafolës, për sinqeritetin. Duhet vlerësuar pra procesi i mbështetjes me firma të kandidatëve për Avokat të Popullit, pastaj qenka proces i drejtë, i hapur, i pandikuar, transparent, edhe pretendimet që janë ngritur për ndërhyrje të njerëzve jashtë parlamentit nuk paska ndodhur.
Por madje paska qenë dhe porosi politike e lidershipit të madhërishëm të Partisë Demokratike.
Sa i përket asaj që tha deputeti, nuk është e vërtetë ajo që thatë ju, se e kam thënë unë. Kam thënë, kam thënë që ne nuk do të mbështesim asnjë kandidat me firma. Gjejeni një prej kandidatëve që të ketë një firmë të një socialisti. Asnjë firmë. Ti që bërtet aty, ke firmos nja tre.
Tani, se është e madhe të dalësh këtu dhe të thuash: se duhet të mbështesim vetëm me një firmë. Vetë ka vënë 3!
Tani, tani, sa për historikun e këtij procesi, kjo që keni propozuar më datë 5 ua kam propozuar unë shtator. Kam dalë në shtator dhe kam thënë: “Hajde bëjmë një proces. Ne propozojmë katër, ju zgjidhni dy, dhe zgjedhim një, ose të bëjmë katër nga ju, dy nga ne.” Dolët dhe thatë: nuk pranojmë të bëjmë negociata me Partinë Socialiste.
E thatë ju nuk unë e thashë, edhe në konferencë për shtyp, edhe në konferencë kryetarësh. Nuk donit negociata. Hajde votojmë!
Zoti kryetar, bazuar në nenin 49 nëse nuk shkojmë në votim, kërkesa bie. O janë tërhequr nga kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës, ose ju lutem shumë, edhe për një transparencë të publikut jepini fjalën kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore, i cili të bëjë një transparencë të gjithë këtij procesi, sepse përgjegjësinë e mbajmë ndaj qytetarëve. Qytetarët duhet të kuptojnë çfarë ka ndodhur, kryetar, se këta që kanë firmosur nga tre a katër, dihet halli i tyre. Faleminderit.






