Tiranë, 28 Mars 2025 – Grupi i Këshilltarëve Bashkiakë të Opozitës në Bashkinë Tiranë ka dërguar një letër zyrtare Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, ku denoncon shkeljet flagrante të ligjit nga kryeministri Edi Rama dhe uzurpimin e institucionit të Bashkisë së Tiranës.

Në letër, këshilltarët e opozitës kundërshtojnë mënyrën e zëvendësimit të kryetarit të arrestuar të Bashkisë, Erion Veliaj, me nënkryetaren Anuela Ristani, duke e cilësuar këtë veprim si antikushtetues dhe në kundërshtim me parimet e autonomisë vendore. Ata theksojnë se ky akt është shoqëruar me margjinalizimin e plotë të Këshillit Bashkiak dhe shmangien e tij nga procesi vendimmarrës.

Sipas opozitës, përveç shkeljeve ligjore, ekzistojnë shenja serioze se administrata e Bashkisë së Tiranës po vihet nën presion dhe manipulohet për qëllime elektorale, në funksion të zgjedhjeve të 11 majit.

Grupi i Këshilltarëve të Opozitës dënon me forcë ndërhyrjet e paligjshme të kryeministrit Rama dhe i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese të vijojnë hetimet për çdo rast të korrupsionit dhe intimidimit të administratës vendore.

Gjithashtu, ata i kërkojnë Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës të marrë në shqyrtim situatën e krijuar dhe të ndërhyjë për të garantuar respektimin e standardeve demokratike dhe të drejtës vendore në Shqipëri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu