Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet më 28 janar për të shqyrtuar çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas urdhrit të dhënë nga kryetari i Kuvendit. Vendimi ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Në një reagim publik, Bardhi e cilësoi shtyrjen si një “bllokim gjashtëjavor” dhe një akt të lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës, të cilën e akuzoi se është shndërruar në “bunker të të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës”.

Sipas tij, pengimi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit ka cenuar rëndë hetimet, duke i dhënë mundësi të pandehurës që të tentojë prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve.

“Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë ka dëmtuar hetimet. Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Këto akte tregojnë se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë dhe se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij”, shkruan Bardhi.

Demokratët kujtojnë se pas mbledhjes së parë të Këshillit të Mandateve më 19 dhjetor, ku nuk u arrit dakordësi, i janë drejtuar disa herë Kuvendit me kërkesa zyrtare për thirrjen e një mbledhjeje të re, me argumentin se shqyrtimi i kërkesës së SPAK duhet të bëhej sa më shpejt.

Në kuadër të kësaj çështjeje, SPAK ka depozituar në Kuvend edhe një dosje voluminoze prej rreth 16 mijë faqesh, në mbështetje të kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Zëvendëskryeministrja është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje në tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërsa vijon të jetë nën hetim edhe për disa procedura të tjera tenderuese, përfshirë lotet e Unazës së Madhe në Tiranë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu