Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar konkluzionet për Shqipërinë, duke mirëpritur progresin e konsiderueshëm të arritur nga vendi ynë, i cili ka çuar në hapjen e të gjitha grupeve negociuese në procesin e anëtarësimit në BE.

Në dokumentin zyrtar, Këshilli vlerëson planin ambicioz të qeverisë shqiptare për mbylljen me sukses të negociatave të pranimit, ndërsa inkurajon të gjitha forcat politike dhe palët e interesuara që të shtojnë përpjekjet dhe të punojnë së bashku për të siguruar përparim të mëtejshëm.

Këshilli kujton gjithashtu rolin thelbësor të Kuvendit të Shqipërisë në debatin dhe miratimin e reformave që lidhen me Bashkimin Europian, duke theksuar se këto reforma duhet të bazohen në një proces gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent.

Sundimi i ligjit përcakton ritmin e negociatave

Sipas konkluzioneve, progresi në të ashtuquajturin “grupi i bazave” do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të intensifikojë reformat në këtë fushë, veçanërisht për të përfunduar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme për sundimin e ligjit, në kapitujt 23 dhe 24, çka do t’i mundësonte vendit nisjen e mbylljes provizore të kapitujve negociues.

Gjithashtu, Shqipëria ftohet të përshpejtojë punën për përmbushjen e standardeve mbyllëse në të gjithë kapitujt e negociatave.

Vlerësime për reformën në drejtësi dhe SPAK

Në fushën e bazave, përfshirë sundimin e ligjit, Këshilli vëren pozitivisht zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, duke theksuar nevojën për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit, në përputhje me standardet e larta të procesit të rivlerësimit.

Në mënyrë të veçantë, Këshilli nënvizon rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe forcimin e mëtejshëm të rezistencës së sistemit të drejtësisë ndaj ndërhyrjeve të brendshme apo të jashtme.

Këshilli mirëpret gjithashtu rezultatet konkrete të arritura nga SPAK dhe gjykatat e posaçme, përfshirë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkëpunimi me BE-në dhe mbrojtja e interesave financiare

Në konkluzione vlerësohet pozitivisht edhe bashkëpunimi i mirë i Shqipërisë me agjencitë e zbatimit të ligjit të BE-së dhe shtetet anëtare, bashkëpunim që duhet të vijojë, përfshirë në fushën e hetimeve financiare.

Këshilli riafirmon se kontrollet e forcuara dhe kapacitetet e konsoliduara për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian mbeten thelbësore në procesin e integrimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu