
Tiranë, 26 janar 2026 – Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg” dhe lirimin nga paraburgimi.
Kërkesa është paraqitur në nëntor të vitit të kaluar nga ekipi i tij mbrojtës, duke kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Posaçme, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë, të cilat kanë lënë në fuqi masën e arrestit.
Sipas Veliajt, këto vendime janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi gjatë procesit të caktimit të masës së sigurisë janë shkelur parimet e procesit të rregullt ligjor, proporcionaliteti i masës dhe prezumimi i pafajësisë.
Kryebashkiaku i Tiranës është i pandehur nga SPAK për pesë vepra penale, mes të cilave “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”, ndërsa ndodhet në paraburgim që prej shkurtit të vitit të kaluar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e tij hap një fazë të re në procesin ligjor, ndërsa pritet që institucioni të vlerësojë pretendimet e ngritura nga mbrojtja lidhur me ligjshmërinë e masës së sigurisë.






