Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur dhe ndodhet nën hetim për afera të dyshuara korruptive.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se është “shumë kurioz” për nxitimin e prokurorëve për t’iu drejtuar Kuvendit me kërkesa që ai i cilëson si masa ekstreme, ndërkohë që më 22 janar pritet shqyrtimi i çështjes në Gjykata Kushtetuese.

Kreu i qeverisë bëri të qartë se shumica qeverisëse dhe parlamentare nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për masa të reja sigurie përpara se të përfundojë procesi në Gjykatën Kushtetuese.

“Sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne, shumica qeverisëse dhe parlamentare, ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme”, deklaroi Rama.

Sipas tij, në një shtet të së drejtës drejtësia nuk duhet të “vrapojë”, por të gjykojë me qetësi, duke pritur përfundimin e një procesi përpara se të kërkojë masa të tjera. Rama e cilësoi si të papranueshëm, sipas tij, përplasjen mes pushteteve kushtetuese.

Nga ana tjetër, SPAK argumenton se kërkesa për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut lidhet me rrezikun real të prishjes ose manipulimit të provave, ndikimit mbi dëshmitarët dhe mundësisë së kryerjes së veprave të tjera penale të ngjashme.

Prokuroria e Posaçme thekson se hetimet nuk kufizohen vetëm te tenderi i Tunelit të Llogarasë dhe Unaza e Madhe, por përfshijnë edhe procedura të tjera prokurimi, si dhe një procedurë koncensioni, ndërkohë që dokumentacioni kryesor ndodhet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga vetë Balluku.

SPAK ngre gjithashtu shqetësimin për rrezikun e largimit të saj, duke iu referuar marzhit të lartë të dënimit të parashikuar nga ligji dhe dyshimeve se veprat penale janë kryer disa herë dhe në bashkëpunim.

Ndërsa procesi pritet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar, përplasja institucionale mes qeverisë dhe Prokurorisë së Posaçme mbetet në qendër të debatit politik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu