
Edi Rama do të drejtojë nesër mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet të merret qëndrimi përfundimtar i mazhorancës lidhur me kërkesën e SPAK për marrjen e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e Belinda Balluku.
Sipas informacioneve, mbledhja do të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Brigadave. Në rendin e ditës parashikohet fillimisht fjala e Ramës, më pas raportimet e ministrave të kabinetit, si dhe fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Në agjendë janë përfshirë raportimet e ministrave Petrit Malaj, Majlinda Dhuka, Delina Ibrahimaj, Adea Pirdeni, Albana Koçiu, Piro Vengu, Evis Sala, Mirela Kumbaro, Ervin Demo dhe Besfort Lamallari.
Pas mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Balla paralajmëroi se kjo do të jetë mbledhja e parë e grupit që do të vendosë për kolegen e tyre. Deputetët socialistë pritet të dëgjojnë edhe relatimin e Ulsi Manjës mbi argumentet e paraqitura nga prokurorët e SPAK.
Sipas burimeve,grupit socialist nuk dëshiron të japë nesër autorizimin për arrestim. Nëse kjo linjë konfirmohet, do të ishte rasti i dytë që shumica socialiste nuk miraton një kërkesë për arrestimin e një ministri të saj, pas precedentit të vitit 2017 me ish-ministrin Saimir Tahiri, për të cilin u votua vetëm heqja e imunitetit dhe vijimi i hetimeve, por jo arrestimi.
Vendimi i nesërm i grupit parlamentar pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe në raportet mes mazhorancës dhe drejtësisë së re.






