Policia e Durrësit arrestoi një grua 49-vjeçare, e cila ushtronte prostitucion. Në pranga ranë edhe një miku i saj, 40-vjeçar, i cili kërcënonte klientët me thikë për t’u marrë para, shkruan A2 CNN. Gjithashtu u arrestua edhe një person i tretë, që shoqërohej me 40-vjeçarin, pasi gjatë kontrollit i gjetën një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje.

“Në kuadër të operacionit “Last Threat” u vunë në pranga shtetasit R. L., 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, A. H., 49 vjeçe, banuese në Spitallë, Durrës dhe A. H., 21 vjeç, banues në Durrës. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasja A. H. i ka ofruar favore seksuale, kundrejt pagesës, shtetasit F. Ç., në banesën e saj. Më pas, në bashkëpunim me shtetasin R. L., e kanë kërcënuar shtetasin F. Ç. me mjet prerës (thikë), dhe i kanë marrë 65000 lekë të rinj. Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasja A. H. ushtronte prostitucion dhe më pas shtetasi R. L. iu bënte foto intime klientëve, si dhe i kërcënonte për të paguar shuma të mëdha parash, me qëllim mospublikimin e fotove. Operacioni ka nisur një javë më parë. Gjatë tij, fillimisht u vu në pranga shtetasja A. H. dhe gjatë ditës së djeshme u vu në pranga shtetasi R. L.. Po gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 21 vjeç, pasi në momentin e kapjes së shtetasit R. L., ky shtetas ishte bashkë me të dhe gjatë kontrollit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë të ndarë në doza gati për shitje”, tha policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që janë kërcënuar nga këta shtetas, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale që kryhej nga këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasit R. L. dhe A. H., për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prostitucioni”, si dhe për 21-vjeçarin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu