
Autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Elvis Shkambi, i cili ndodhet në burg që prej datës 6 tetor, ka shkruar një letër nga burgu, ku po vuan dënimin për krimin e rëndë.
Kujtojmë se Astrit Kalaja u vra me armë zjarri mesditën e 6 tetorit në sallën e Gjykatës së Apelit, pasi lexoi verdiktin ku autori ishte palë për një çështje pronësie.
Mes rreshtash në letër, autori shpreh keqardhje për dhimbjen që i ka shkaktuar të afërmve të gjyqtarit sidomos për 3 fëmijët e të ndjerit.
“Sot personalisht po i shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjes Kalaja, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. Ndjej keqardhje shumë të madhe për dhimbjen që kam shkaktuar, sidomos në raport me 3 fëmijët e tij, për të cilët besoj ai ka qenë njeriu më i mirë në botë.
Ndjej një keqardhje shumë të madhe edhe për familjen time, të afërmit, miqtë, kolegët dhe ish kolegët, të cilët me veprimet e mia të kryera atë ditë fatkeqe, i kam tronditur, i kam mërzitur dhe padyshim zhgënjyer”, shkruan Shkambi.
Sakaq ai insiston se vendimi i Gjykatës për çështjen që ai ishte palë ishte i padrejtë.
“Ajo që ndodhi atë ditë ishte një reagim i palogjikshëm kundër një vendimi po aq të palogjikshëm. Do e them dhe do e përsëris sa të kem frymë , ai vendim ishte më shumë se sa skandaloz…Prej 13 vitesh xhaxhai im, Gjon Shkambi ishte kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor në shqipëri. Ata që e shtynë babanë tuaj në atë vendim totalisht të padrejtë janë po aq fajtorë sa unë”, shkruan Shkambi.
Astrit Kalaja u qëllua për vdekje më 6 tetor brenda sallës së gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, teksa po jepte një vendim për çështje pronësie./panorama













