
TIRANË – Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun e rrobave të përdorura në zonën e 5 Majit në Tiranë është izoluar brenda parametrave, por ende nuk mund të konsiderohet plotësisht nën kontroll. Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikësve, Arben Cara, në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News.
View this post on Instagram
Cara konfirmoi se në magazinën ku shpërthyen flakët ndodheshin bombola gazi që tregtoheshin, çka ka rritur ndjeshëm rrezikun gjatë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. Sipas tij, përdorimi i sistemeve të ngrohjes mund të ketë qenë një nga shkaqet që kanë favorizuar ndezjen e zjarrit, megjithatë rrethanat e sakta mbeten ende për t’u hetuar.
“Kemi arritur ta izolojmë zjarrin brenda parametrave dhe të mos lejojmë përhapjen drejt magazinave dhe pallateve ngjitur. Nuk themi se zjarri është nën kontroll, pasi vatra është e madhe dhe ka ende shumë punë për t’u bërë”, u shpreh Cara.

Ai sqaroi se zjarri ka nisur në pjesën qendrore të magazinave dhe aktualisht po monitorohet nga afër nga forcat zjarrfikëse të Tiranës, të ndihmuara edhe nga bashkitë fqinje, si dhe nga forcat e ushtrisë. Për arsye sigurie, energjia elektrike në zonë është ndërprerë, ndërsa policia ka rrethuar perimetrin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg.
Nga ana tjetër, gazetari Besar Bajraktaraj bëri me dije se zjarri ka përfshirë fillimisht një kapanon dhe më pas është përhapur me shpejtësi në disa kapanone të tjera, për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme. Shtëllungat e mëdha të tymit kanë qenë të dukshme nga distanca, duke shkaktuar panik te banorët dhe tregtarët.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme. Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit do të kryhen nga organet kompetente dhe Inspektorati i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.



