Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka bërë publike dy emrat që Partia Demokratike mbështet zyrtarisht për postin e Avokatit të Popullit, duke përjashtuar qartë kandidaturën e Endri Shabanit si pjesë e opozitës së bashkuar. Në një intervistë në A2 CNN, Këlliçi theksoi se PD ka dorëzuar një shkresë zyrtare me dy kandidatë: Adriana Kalaja, të cilën e vlerësoi si një zë të fortë e konstant në luftën kundër korrupsionit, e njohur për paditë ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe protestat e përjavshme para SPAK, si dhe Besim Ndregjonin, të cilin e cilësoi i vetmi zyrtar i shtetit që ka dhënë dorëheqjen për shkak të dhunimit të të përndjekurve politikë, duke përfaqësuar denjësisht këtë shtresë.

Këlliçi sqaroi se Endri Shabani nuk është kandidaturë e PD-së, pavarësisht se emri i tij u përmend në fazën e dëgjimeve në Komisionin e Ligjeve. “Ai nuk ka lidhje me PD-në dhe nuk mund të konsiderohet kandidaturë opozitare,” tha deputeti demokrat, duke nënvizuar se mazhoranca po tenton të imponojë kandidaturën e preferuar të saj përmes procedurave teknike.

Sipas Këlliçit, Kalaja dhe Ndregjoni janë kandidatura “të shkëlqyera”, që përfaqësojnë kauzat e opozitës dhe standardet që duhet të ketë institucioni i Avokatit të Popullit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu