
Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kanë nisur kremtimin e Pashkëve, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar.
Në Katedralen Katolike “Shën Pali” në Tiranë, mesha e Pashkës u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, i cili në mesazhin e tij u ndal te rëndësia e paqes dhe nevoja për mbrojtje në kohë pasigurie.
“O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, na mbro. Ti ngre atë që ka rënë poshtë dhe mbron atë që është në luftë. Bëj më të mirën për ne, Zoti ynë. Amen”, u shpreh ai gjatë lutjes.
Këtë vit, Pashkët përkojnë në të njëjtën ditë për të gjithë besimtarët e krishterë, katolikë, ortodoksë dhe protestantë, që ka krijuar një ndjenjë edhe më të fortë bashkimi dhe reflektimi shpirtëror.
Ceremonia po mbahet edhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku besimtarë të shumtë janë mbledhur për meshën që pritet të drejtohet nga Kryepeshkopi i ri i Shqipërisë At Joani.
Ceremonitë fetare kanë nisur që mbrëmjen e së shtunës me meshën e vigjiljes, ndërsa e diela do të vijojë me dreka familjare dhe urime festive.
Në këtë ditë të shenjtë, nuk kanë munguar as urimet nga liderët më të lartë të shtetit. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një mesazh urimi u shpreh: “Kjo është një ditë shprese dhe ringjalljeje, që na fton të jemi më pranë njëri-tjetrit, me më shumë dashuri, kujdes dhe solidaritet.”/euronews