Aeroporti i ri ndërkombëtar në bregdetin e Shqipërisë do të fillojë të funksionojë brenda pak javësh dhe dhëndri i Donald Trump do të ndërtojë një hotel luksoz në zonën e tij më të gjerë, shkruan gazeta greke ”Kathimerini”.

Gjatë tre viteve të fundit, një grup investitorësh kanë shpenzuar 170 milionë euro për të transformuar një pistë të vjetër uljeje për aeroplanë ushtarakë në Aeroportin e Vlorës, i cili është porti i dytë më i madh i Shqipërisë.

Fluturimet çarter do të fillojnë në verë dhe menjëherë pas kësaj aeroporti do të jetë plotësisht funksional.

Sipas Valon Lukës, CEO i aeroportit, “ky është një investim strategjik për të stimuluar turizmin në jug të Shqipërisë dhe do të jetë porta hyrëse për në Rivierën Shqiptare dhe zonat përreth”.

Basti i investitorëve është se Aeroporti i Vlorës, rreth 10 kilometra nga qyteti dhe porti, do të ofrojë akses më të lehtë në pjesën jugore të vijës bregdetare 500 kilometra të Shqipërisë.

Kohët e fundit, zona ka tërhequr një numër të madh turistësh falë çmimeve të saj të përballueshme, por edhe ndjesisë së të panjohurës dhe të paeksploruarës krahasuar me zonat e njohura të Greqisë dhe Kroacisë.

Aeroporti është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta përmirësuar zonën dhe për ta transformuar atë në një destinacion të shtrenjtë turistik.

Jo shumë larg Vlorës është ishulli i Sazanit, ku Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump po planifikon një hotel luksoz me vlerë 1,4 miliardë dollarë.

Aeroporti i Vlorës do të ndihmojë në çbllokimin e Aeroportit të Tiranës, i cili vitin e kaluar u ofroi shërbimet e tij 10,7 milionë pasagjerëve, pra tre herë më shumë se ata që e përdorën atë para pandemisë.

Qeveria po i përqendron përpjekjet e saj të zhvillimit në qytete bregdetare si Vlora, e cila është e famshme për bukurinë e saj natyrore, por mbeti e panjohur për dekada sepse nuk ishte përfshirë nga asnjë nga rrjetet ndërkombëtare të udhëtimit.

Kalimi i Shqipërisë nga një vend i izoluar i ish-bllokut sovjetik në një destinacion turistik filloi dhe vazhdon në 12 vitet që kryeministri Edi Rama ka qenë në pushtet.

Planet e turizmit janë ambicioze, ndërsa autostradat dhe projektet e energjisë të ndërtuara kanë nxitur ekonominë dhe kanë rritur standardet e jetesës/atsh

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu