Gjykata e Romës dënoi sipërmarrësin Manlio Cerroni, 97 vjeç, pronar i landfillit të Malagrott-ës dhe bashkëpunëtorin e tij Francesco Rando, 87 vjeç: të dy u akuzuan për katrasofë mjedisore për shkak të ndotjes së shkaktuar nga landfilli.
Cerroni u dënua me 6 vjet e 4 muaj burg, Rando me 3 vjet, dënime shumë më të ulëta se kërkesat e prokurorit, 17 vjet burg për Cerronin dhe 11 për Rando. Krahas dënimit me burg, gjyqtarët vendosën dëmshpërblim për palët civile, përfshirë Bashkinë e Romës dhe Rajonin e Lacios, në total prej 500 mijë eurosh.
Landfilli Malagrotta, më i madhi në Evropë, ndodhet në zonën Valle Galeria, në perëndim të Romës, jo shumë larg nga aeroporti Fiumicino. Është një kodër e madhe plehrash 90 metra e lartë dhe që përfshin pothuajse 2.5 kilometra katrorë, e cila u mbyll në vitin 2013, pas disa konfiskimeve dhe hetimeve: landfilli nuk përputhej me standardet evropiane, të cilat në atë kohë ndalonin hedhjen e mbetjeve të patrajtuara në landfill. Për këtë arsye ajo duhej të ishte mbyllur në vitin 2007, por mbeti e hapur në vitet në vijim për t’u marrë me urgjencën e mbetjeve të Romës.
Çdo ditë për dyzet vjet ajo kishte marrë mbi 4,000 ton mbetje të papërpunuara nga Roma dhe disa bashki në Lacio. Pasja e një landfilli të këtij lloji, ku çdo gjë mund të hidhet pa u trajtuar ishte prej vitesh një zgjidhje që i kurseu shumë administratave bashkiake, por që shkaktoi probleme të theksuara mjedisore.
Uji i shiut që filtrohet në tokë dhe mbetjet e grumbulluara krijon rrjedhje, që ndot tokën dhe që mund të rrjedhë dhe të përfundojë në lumenj. Edhe më shumë se dhjetë vjet pas mbylljes së Malagrotta, njerëzit që jetojnë në zonë raportojnë kundërmime të forta, depozitime pluhuri të zi në dritare dhe ballkone dhe ankohen për një përhapje më të lartë se normalja e sëmundjeve, sipas tyre të lidhura me afërsinë e impiantit dhe të landfillit.