
229 kuti të materialeve zgjedhore në rang vendi, ku në procesverbal nuk është shënuar numri i fletëve të votimit të papërdorura më 11 maj, do të rihapen.
Pas hapjes së 4 kutive të para në KQZ, rezultoi se fletët e papërdorura nuk ishin 0, siç kishin shënuar komisionerët, duke ngritur shqetësimin e opozitës për fatin e tyre.
Përfaqësuesit e PD-së kërkuan që të hapen të gjitha kutitë në të gjithë qarkun e Vlorës, përfshirë edhe ato me fletë votimi, por kërkesa u rrëzua.
Kutitë do të hapen në Vaqarr, në magazinat e KQZ-së, dhe forcat politike mund të kenë vëzhguesit e tyre për të ndjekur të gjithë numërimin e fletëve të papërdorura.
Komisioneri Celibashi e cilësoi si gabim njerëzor nga ana e komisionerëve mosreflektimin në procesverbal të fletëve të papërdorura, ndërsa PD-ja e pa këtë si provë se rreth 130 mijë fletë votimi, që nuk dalin në inventar, mund të jenë përdorur për fenomenin e “treni bullgar”, siç pretendojnë se është vënë re më 11 maj./Klan