Ndalohet një 51-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Si rezultat i kërkimeve dhe administrimit të informacioneve të inteligjencës policore, të kryera në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, me objektiv ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me forcën e Posaçme Shqiponja të DVP Elbasan finalizoi operacionin policor të koduar “Deceit”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim G. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar Tiranë, me vendimin e datës 29.08.2024, ka urdhëruar ndalimin e tij, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në muajin prill 2024, Gentian Bako dyshohet se ka tentuar të korruptojë dy punonjës të IMT-së Elbasan, duke u dhënë para, për të mos i shembur një ndërtim pa leje.