
Një 41-vjeçar i dënuar për krime të rënda kundër jetës dhe personit është vënë në pranga nga Policia e Shtetit.
Shtetasi Ervis Çela, banues në Peqin, u arrestua në Qeparo, Himarë, pas një operacioni të zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan.
Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Elbasanit kishte njohur një vendim të dhënë nga drejtësia italiane, duke e dënuar me 21 vite burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 11 muaj e 16 ditë.
Ervis Çela është dënuar për një sërë veprash penale të rënda:
- “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim
- “Heqje e paligjshme e lirisë”
- “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, mbetur në tentativë
- “Kanosja për të mos kallëzuar”
- “Mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”
- “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.