
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 46”, duke çuar në pranga një 60-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një krim të rëndë seksual ndaj një të miture.
I arrestuari është Nikolla Llogo, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim më datë 23 maj 2025 nga Interpol Roma, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjës me 5 vjet e 10 muaj burgim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”, krim i kryer ndaj vajzës së tij, në komunën Noceto, Itali.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune të mirëkoordinuar hetimore për lokalizimin dhe kapjen e të shumëkërkuarit.
Autoritetet shqiptare njoftojnë se po vijon puna për finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Italisë.