Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Break in”, i zhvilluar në Himarë, ku u zbardhën disa vjedhje të kryera në katër banesa të fshatrave të zonës.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve në terren, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Himarë identifikuan dhe vunë në pranga tre shtetas që dyshohen se gjatë dy muajve të fundit kanë kryer vjedhje me vlerë të konsiderueshme parash dhe sende të ndryshme.

Në pranga u vunë:

  • E. G., 31 vjeç, banues në Sarandë;
  • D. R., 39 vjeç, banues në Sarandë;
  • K. H., 37 vjeç, banues në Finiq.

Gjatë kontrolleve në banesën e njërit prej tyre, u sekuestruan:

  • 1 armë zjarri kallashnikov me silenciator;
  • 3 silenciatorë të tjerë;
  • 68 fishekë dhe krehra armësh;
  • 4 celularë dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë vjedhjeve;
  • 1 automjet, i dyshuar se është përdorur gjatë veprave kriminale.

Nga hetimet rezultoi se shtetasit e arrestuar dyshohet të kenë kryer këto vjedhje:

  • Më 15.08.2025, 250,000 lekë në banesën e N. L., fshati Pilur;
  • Më 27.08.2025, 1,300,000 lekë në banesën e A. B., fshati Piqeras;
  • Më 19.09.2025, 200,000 lekë në banesën e Q. M., fshati Borsh;
  • Më 20.09.2025, vegla pune në banesën e G. N., fshati Borsh.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë një 18-vjeçare, M. M., banuese në Sarandë, për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se kishte dijeni për aktivitetin kriminal, por nuk e raportoi.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprat penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Policia vijon hetimet për të dokumentuar nëse të njëjtët shtetas kanë kryer vjedhje të tjera në territorin e Himarës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu