
Tiranë – Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, të zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve. Ata akuzohen për grabitjen e një kasaforte me 15 000 euro në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, më datë 2 qershor.
Të arrestuarit janë shtetasit A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë dhe të dënuar më parë për vjedhje. Nga verifikimet, rezultoi se njëri prej tyre, A. Xh., ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.
Në kuadër të operacionit u sekuestrua edhe automjeti që dyshohet se është përdorur për realizimin e vjedhjes. Hetimet dhe ndjekja e rastit u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2 në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, pas kallëzimit të bërë nga qytetari i dëmtuar.
Materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë, për vijimin e mëtejshëm të veprimeve ligjore.