Kaosi ka shpërthyer në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, të dielën në mbrëmje pasi mbështetësit e zemëruar të populistit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu protestuan kundër vendimit të trupit elektoral për të refuzuar kandidaturën e tij, në një rishikim të zgjedhjeve presidenciale.

Georgescu ka fituar raundin e parë të garës së vitit të kaluar përpara se një gjykatë e lartë të anulonte zgjedhjet, raporton AP.

62-vjeçari Georgescu ka paraqitur sërish kandidaturën e tij të premten në kryeqytetin Bukuresht.

Byroja Qendrore e Zgjedhjeve, e njohur gjithashtu me akronimin rumun BEC, kishte 48 orë kohë për ta regjistruar ose refuzuar.

Nuk ishte menjëherë e qartë se mbi çfarë arsye u refuzua kandidatura e tij, por BEC ka thënë se një tekst i plotë i vendimit të tij do të publikohej më vonë në faqen e tij të internetit.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 24 orëve.

Qindra protestues janë mbledhur të dielën vonë jashtë selisë së BEC për të shprehur zemërimin për vendimin.

Disa protestues kanë hedhur objekte të ndryshme ndaj një numri të madh të policisë së trazirave të dërguar në zonë, kanë përmbysur një automjet lajmesh dhe i kanë vënë flakën një shkurreje.

Georgescu ka reaguar ndaj vendimit të dielën duke e quajtur atë “një goditje të drejtpërdrejtë në zemrën e demokracisë në mbarë botën!”

“Nëse demokracia në Rumani bie, e gjithë bota demokratike do të bjerë! Ky është vetëm fillimi. Është kaq e thjeshtë! Evropa tani është një diktaturë, Rumania është nën tirani!”, ka shkruar ai në X.

Refuzimi i BEC ka ardhur pasi Gjykata Kushtetuese e Rumanisë ka anuluar rezultatet e rundit të parë, dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit, pasi dolën akuza se Rusia kishte zhvilluar një fushatë të koordinuar në internet për të promovuar Georgescun, i cili ka kandiduar si i pavarur.

Vendimi i paprecedentë i gjykatës e ka zhytur Bashkimin Evropian dhe vendin anëtar të NATO-s në një krizë të zgjatur politike.

Muajin e kaluar, prokurorët kanë nisur një hetim penal kundër Georgescut, duke e akuzuar atë për “nxitje për veprime kundër rendit kushtetues”, mbështetje të grupeve fashiste dhe deklarata të rreme për financimin e fushatës zgjedhore.

Shpejt kanë dalë akuza për shkelje zgjedhore dhe ndërhyrje ruse. Moska ka mohuar se kishte ndërhyrë në zgjedhje.

Georgescu ka lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin dhe ka vënë në pikëpyetje shtetësinë e Ukrainës, por thotë se ai nuk është pro-rus.

Rundi i parë i përsëritjes së zgjedhjeve është caktuar për 4 maj.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave, balotazhi do të pasojë më 18 maj./Koha net

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu