Reshjet e shumta të dëborës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve në rrugën e Arbrit. Dhjetra automjete kanë mbetur të bllokuara në bypassin e Murrizit si pasojë e pranisë së madhe të dëborës.
Edhe pse që me nisjen e rteshjeve në rrugë pati borëpastruese, këto të fundit nuk kanë arritur ta mbajnë të qarkullueshëm aksin. Për pasojë dhjetra automjete e qindra qytetar kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra.
Ndërkohë, mësohet se mes të bllokuarve ka qenë edhe një kortesh mortor i cili ishte nisur nga Tirana në drejtim të Klosit.
Policia rrugore u detyruar të bllokojë qarkullimin e automjeteve tek rreth-rrotullimi në fshatin Fshat duke detyruar automjetet të përdorin aksin e vjetër nga Klosi–Burrel–Milot.
Situata në bypassin e Murrizit mbetet problematike pasi shumë automjete kanë dalë nga rruga, duke krijuar radhë të gjata në trafik. Mes të bllokuarve ka edhe fëmijë të cilët qëndrojnë në automjete prej disa orësh.
Policia Rrugore do të vijojë të mbajë të mbyllur qarkullimin në këtë aks rrugor deri në hapjen e plotë të tij./vizionplus