Seanca plenare u përfshi nga tensione të forta, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës degraduan në incidente fizike dhe akuza të ndërsjella.Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ngriti alarmin për situatën në sallën e Kuvendit, duke deklaruar se deputetët po kërcënohen me jetë dhe po goditen gjatë ushtrimit të detyrës.
Në fjalën e tij, Balla theksoi se pavarësisht përpjekjeve për të vendosur rregullin, situata kishte dalë jashtë kontrollit. “Deputetët kërcënohen se nuk do të vijnë më të gjallë në sallë, ndërsa të tjerë goditen me mjete të forta. Në këto kushte, bazuar në nenin 49, propozoj përmbylljen e diskutimeve dhe kalimin menjëherë në votim”, deklaroi ai.
Pas kësaj kërkese, mazhoranca vendosi të ndërpresë debatet dhe të kalojë në votim pikat e rendit të ditës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike bojkotuan procesin dhe u larguan nga salla.
Seanca u shoqërua me tensione të vazhdueshme, që nisën pas kërkesës së Ballës për një minutë heshtje në nder të katër dëshmorëve të 2 prillit 1991. Opozita reagoi duke bllokuar foltoren, ndërsa situata degradoi më tej me përplasje verbale dhe fizike, përfshirë momentin kur Flamur Noka goditi Ballën me një shishe uji.
Ndërkohë, pati edhe incidente të tjera, si përpjekja për marrjen e kartës së votimit nga deputetja Elda Hoti ndaj Bora Muzhaqit, si dhe replika të ashpra mes deputetëve.
Pavarësisht ndërprerjeve dhe përpjekjeve për qetësim, tensionet vijuan deri në vendimin e mazhorancës për të mbyllur diskutimet dhe për të kaluar në votim, duke thelluar përplasjen politike mes palëve.






