
Mijëra udhëtarë në Shtetet e Bashkuara janë përballur sot me vonesa dhe anulime masive të fluturimeve, pasi Agjencia Federale e Aviacionit (FAA) ka urdhëruar reduktimin e trafikut ajror për shkak të mbylljes së qeverisë federale.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 2 000 fluturime janë anuluar ose vonuar në 40 aeroportet më të ngarkuara të vendit, përfshirë Atlanta, Chicago, Houston, Denver, Newark dhe Los Angeles.

FAA njoftoi se për shkak të mungesës së kontrollorëve të trafikut ajror, shumë prej të cilëve po punojnë pa pagesë ose janë larguar për punë dytësore, kapaciteti i fluturimeve do të reduktohet fillimisht me 4%, për të arritur në 10% deri në fund të javës së ardhshme.
“Nuk mund të garantojmë sigurinë nëse trafiku ajror vijon në këto kushte. Reduktimet janë të domosdoshme për të ruajtur standardet e sigurisë,” – deklaroi një zyrtar i FAA-së për Reuters.
Kompanitë ajrore si Delta, United dhe American Airlines kanë njoftuar se pasagjerët e prekur do të mund të përfitojnë rimbursim të plotë ose riplanifikim pa tarifa shtesë. Megjithatë, situata ka shkaktuar kaos në aeroportet amerikane, ku radhët e gjata dhe vonesat kanë bërë që udhëtarët të shprehin zemërim dhe pasiguri për planet e tyre.
Mbyllja e qeverisë, e cila ka hyrë në ditën e 38-të, po cilësohet si më e gjata në historinë e SHBA-së dhe ka prekur mijëra punonjës publikë që punojnë pa pagesë, përfshirë kontrollorët e trafikut ajror, punonjësit e sigurisë dhe ushtrinë.
Kjo situatë pritet të përkeqësohet ndërsa afrohet periudha e festës së Falënderimeve (Thanksgiving), kur zakonisht regjistrohen nivelet më të larta të udhëtimeve brenda vendit.




