
Pasi emri i saj u shpall në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate në qarkun e Fierit, Limonera Bozha mori një telefonatë urimi nga eprorët e saj në Albpetrol, bashkë me kërkesën për të dhënë dorëheqjen.
Bozha, një specialiste në kompaninë publike të naftës, Albpetrol, i tha BIRN se pasi kishte refuzuar që të jepte dorëheqjen, ishte shkarkuar nga detyra në datën 22 prill përmes një vendimi, të cilin ajo e kundërshton si të kundraligjshëm dhe që cënon të drejtën e saj për t’u zgjedhur. Bozha ka bërë gjithashtu ankim pranë Komisionerit për Mbrojtjen e nga Diskriminimi në lidhje me vendimin e shkarkimit.
Kushtetuta e Shqipërisë i njeh çdo shtetasi mbi 18 vjeç të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, ndërkohë që Kodi Zgjedhur e kufizon të drejtën për të kandiduar me heqjen dorë nga pozicionet e larta publike, ku nuk përfshihen nëpunësit e ulët dhe të mesëm të administratës.
Bozha i tha BIRN se kishte kërkuar lejen vjetore pasi kishte refuzuar që të jepte dorëheqjen, por u përball me një komision disiplinor për mungesat në punë, të cilat ajo pretendon se lidhen me problemet shëndetësore dhe se i justifikon me raportin përkatës mjekësor.
“Kërkova disa herë përgjigje me email për lejen vjetore, por në vend të saj më vjen një shkresë që më kërkon të paraqitem në komisioni disiplinor. Mungesat e mia në punë nuk korrespondojnë me ato që drejtoria ka dorëzuar në Komision, ndërsa më pas kam munguar për arsye shëndetësore të vërtetuara në raport mjekësor,” pretendoi më tej Bozha.
Të pyetur për arsyet e shkarkimit të kandidates për deputete të PSD, Limonera Bozha, drejtori i Albpetrol, Eltar Deda dhe shefja e kabinetit, Albana Kulari refuzuan të komentonin, duke kërkuar që t’u drejtoheshim rrugëve zyrtare.
“Ju lutem nuk mund të jap asnjë sqarim,” tha Deda, duke shtuar se dosjen përkatëse ia kishte dhënë avokatit të Znj. Bozha.
“Atëherë që të mos nxitohemi në pretendime të pabazuara në fakte, ju ftoj të na drejtoheni në rrugë zyrtare dhe patjetër që do te merrni të gjithë informacinonin e nevojshëm”, tha Kulari, e cila sipas Bozhës i kishte kërkuar dorëheqjen përmes telefonit.
Shkarkimi nga detyra i Bozhës është i disati në qarkun e Fierit, pas shpalljes së listave të kandidatëve për deputetë të partisë Socialdemokrate të Tom Doshit – një aleat i pashpallur i Partisë Socialiste me të cilin në këto zgjedhje është futur në një kurs përplasjeje.
Kandidatë të tjerë të PSD apo familjarë të tyre u kërcënuan me shkarkime nga puna pas shpalljes së listave. (BIRN)