
Teksa jemi vetëm pesë ditë larg zgjedhjeve, situata në Lezhë është mjaft e tensionuar. Eduart Ndreca, kandiat për qarkun e Lezhës i “Koalicionit Euroatlantik” ka publikuar një video ku denoncon bllokimin e nënkrytearit të bashkisë së Lezhës, Fatjon Zefi, dhe drejtorit të KESH, të cilët sipas tij kanë qenë duke blerë vota në një fshat të Lezhës.
Në denoncimin e tij Ndocaj thotë se kjo gjë (blerja e votave) vijon prej vitesh. Duke shprehur besimin te drejtësia, Ndocaj thotë se pret zbardhjen e këtij incidenti.
Eduart Ndocaj: Nënkryetari i bashkisë, me drejtorin e KESH, me disa individë janë bllokuar nga policia sepse mendohet se po bëhet diçka që i përket asaj që ka 30 vjet që bëhet, blerje votash. Shpresoj që me të vërtetë të zbardhet kjo gjë, sepse besojmë te drejtësia. Policia ka ardhur dhe dua t’i falenderoj sepse kanë qenë në dispozicion, dua t’i falenderoj dhe djemtë e mi që i kanë bllokuar në këtë vend. Vijojnë bëjnë të njëjtën gje prej 30 vitesh, qytetarin e blejnë si bagëti dhe mendojnë se e vetmja shpresë që të fitojnë është me bleje votash jo me sistem demokratik. Jemi drejt finales.
Lidhur me situatën, ka reaguar ashpër kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Ai ka dënuar ashpër veprimet e grupeve që ai i cilëson si “banda të PD-së”, të cilat, sipas tij, po tensionojnë klimën elektorale përmes bllokimeve të rrugëve dhe pengimit të lëvizjes së qytetarëve.
Ndreu i ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese të marrin masa të menjëhershme, duke theksuar se këto veprime janë provokime të qëllimshme dhe shkelje të ligjit në kuadër të fushatës zgjedhore.
Pjerin Ndreu: Banda të PD vazhdojnë të provokojnë klimë tensioni pa asnjë shkak në Lezhë! Bllokime rrugësh duke kufizuar lëvizjen e lirë të njerëzve janë bërë shqetësuese! Bile një natë kanë ndaluar dhe punonjës policie! Mbrëmë kanë bllokuar rrugën me rrugaçë Zv/kryetarit të Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, Kryetarit të PS Kolsh, Andi Marku! Moslejimi i lëvizjes në zonat e veta dhe bllokimi i rrugëve me alibinë idiote se po blihen vota, është shkelje flagrante e ligjit, dhe provokacion për të tensionuar fushatën në kushtet e pamundësisë për të siguruar mbështetjen elektorale! Ju bëj thirrje anëtarëve të PS të ruajnë qetësinë!
Organet ligjzbatuese të marrin masat përkatëse ndaj kujtdo që kufizon lirinë e lëvizjes së çdo qytetari! Karvanë me makina me militantë dhe armë lëvizin natën duke bërë presione. Pse nuk duhet ne të aludojmë se po bëjnë presion dhe po lëvizin duke blerë vota?! Këto janë sjellje të shëmtuara që nuk nderojnë kulturën e lezhjanëve! Pseudo-gangsterë të ardhur gjoja me forcë elektorale, do shfryhen si tullumbace më 12 maj! Bllokimi i rrugës së Zv/Kryetarit të Bashkisë, Fatjon Zefi, i cili njihet si një nga djemtë më me integritet në Lezhë, është vetëdemaskimi më i qartë i farsës së ashtuquajtur “mbrojtje vote”! Lezha s’jua ka borxh këtë sjellje primitive dhe provokim të ulët! Ne nuk do të biem në batakun e provokacioneve tuaja, megjithëse e keni mbushur kupën! Por policia, prokuroria të veprojnë sipas ligjit!/vizionplus