
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se do të takohet me ish-presidentin amerikan Donald Trump më vonë gjatë këtij muaji, për të diskutuar mundësitë e reja për paqe në Lindjen e Mesme.
Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Jerusalem me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Netanyahu tha se gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet në Rripin e Gazës dhe e ardhmja e rajonit pas konfliktit.
“Diskutuam, sigurisht, se si t’i jepet fund sundimit të Hamasit në Gaza, sepse kjo është një pjesë thelbësore për të garantuar një të ardhme ndryshe për Gazën dhe për ne në raport me Gazën,” u shpreh Netanyahu.

Ai theksoi se aktualisht ekzistojnë mundësi reale për paqe dhe se Izraeli synon t’i shfrytëzojë ato.
“Tani ka mundësi për paqe. Ne synojmë t’i shfrytëzojmë ato. Do t’i diskutoj këto çështje me Presidentin Trump kur të takohemi më vonë këtë muaj,” deklaroi kryeministri izraelit.
Nga ana e tij, kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se Gjermania mbështet sigurinë e Izraelit, por njëkohësisht nënvizoi rëndësinë e respektimit të dinjitetit njerëzor dhe të ligjit ndërkombëtar gjatë veprimeve ushtarake në Gaza.
Merz riafirmoi gjithashtu se Gjermania mbështet një zgjidhje me dy shtete si rruga më e mirë drejt një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke theksuar se kjo mund të arrihet vetëm përmes negociatave.
“Gjermania duhet të qëndrojë në mbështetje të ekzistencës dhe sigurisë së Izraelit,” deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz në memorialin e Holokaustit Yad Vashem në Jerusalem, gjatë vizitës së tij të parë në Izrael, që prej kohës kur marrëdhëniet tradicionalisht të forta mes dy vendeve u tronditën nga lufta në Gaza.
Rreth gjashtë milionë hebrenj u shfarosën në kampet naziste gjatë Holokaustit, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Izraeli ndërtuan marrëdhënie të ngushta politike, diplomatike dhe të sigurisë, të bazuara në përgjegjësinë historike të Berlinit dhe mbështetjen e fortë për sigurinë e shtetit hebre./AFP






