Takimi konsultativ me prindër e mësues mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve vecanërisht në hapësirat digjitale të rrjeteve sociale, – vijoi sot në shkollën “Halit Çoka” në Kamëz, ku Kryeministri Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu bashkëbiseduan me prindër, mësues e staf mbështetës për të fuqizuar mekanizmat e parandalimit të çdo forme dhune, si dhe bullizmit të fokusuar tek rrjetet sociale.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe opinione mbi çfarë mund të bëhet më mirë sa i përket sigurisë në shkolla, si dhe kufizimit të aksesit apo ndalimit të plotë të rrjeteve të caktuara sociale për fëmijët dhe adoleshentët.
“Ne jemi duke i studiuar të gjitha aspektet dhe jemi në këtë bashkëbisedim, sepse jemi të prirur të besojmë që bllokimi i plotë i TikTok-ut, edhe për një sërë arsyesh tjera, që lidhen me faktin e gjuhës shqipe, që lidhen me faktin e pamundësisë për të pasur të njëjtat kritere dhe standarde si vende të tjera do të ishte një rrugë, qoftë edhe për një periudhë, për të parë se çfarë do të bëjnë të tjerët, si të tjerët do të gjejnë mekanizma të tjerë dhe faktikisht për ta hequr “një shok” shumë të keq nga duart e fëmijëve dhe për të pasur pak më shumë kontroll mbi atë momentin kur ata shkojnë nëpër ato labirinthe.”