
Bashkimi Evropian mbetet mbështetës i fuqishëm i rrugëtimit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe ajo i përket familjes evropiane, deklaroi shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kalla, gjatë një vizite zyrtare në Shkup më 23 maj.
Ajo përsëriti se Maqedonia e Veriut duhet t’i përmbushë zotimet që i ka bërë dhe të bëjë gjithçka që Plani A i dakorduar me BE-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, Kallas tha se do të kalojnë në një plan tjetër.
“Rruga drejt anëtarësimit nuk është e lehtë, por qëndroni në të. Merrni hapa drejt hapjes së kapitujve, dhe ne si BE do ta mbështesim edhe më shumë Maqedoninë e Veriut. Përparimi mund të jetë i shpejtë, vetëm nëse ka vullnet politik. Ne besojmë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është receta më e mirë për paqen në rajon”, tha Kallas në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin, Hristijan Mickoski.
Ajo vlerësoi përpjekjet e vendit për të zbatuar agjendën reformuese dhe e quajti një partner të besueshëm për sigurinë rajonale, pasi ka përafruar me sukses ligjet maqedonase me ato evropiane në fushën e politikës së sigurisë.
Kryeministri Mickoski ritheksoi se integrimet evropiane duhet të bazohen në vlerat evropiane dhe jo në çështje bilaterale. Ai tha se integrimi evropian mbetet angazhim i qartë i Qeverisë së tij, por kërkoi më shumë mirëkuptim nga vendet anëtare të BE-së për situatën në të cilën ndodhet vendi.
“Ne i përkasim BE-së, sepse prej dekadash po ndërtojmë një shoqëri me vlera demokratike, po investojmë, po sakrifikojmë, me shpresë se puna jonë do të njihet. Jemi të gatshëm, BE mund të llogarisë tek ne, por tani ka ardhur koha që edhe ne të llogarisim te BE-ja. Kemi të drejtë për një konfirmim më të qartë nga vetë BE-ja, sepse jo të gjitha vendet po sillen në frymën evropiane. Prandaj, kam kërkuar trajtim të drejtë, kam kërkuar nga Evropa të tregojë lidership, të rikthejë besimin e të rinjve në Evropë, të tregojë se BE-ja nuk është e mbyllur për ne, por është një vizion i gjallë”, deklaroi Mickoski.
Kallas tha se ajo dhe Mickoski kanë diskutuar për mekanizma të mundshëm për zhbllokimin e marrëdhënieve me Bullgarinë, por nuk dha detaje.
“Është e qartë se duam që Maqedonia e Veriut të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. E dimë se ekzistojnë pengesa dhe kemi diskutuar për mekanizmat për t’i tejkaluar ato. Ka hapësirë për të vepruar, por për momentin nuk do të hyj në detaje”, theksoi ajo.
Mickoski paralajmëroi se në margjinat e samitit të ardhshëm të NATO-s mund të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve më të lartë të BE-së, SHBA-së, Bullgarisë dhe Maqedonisë, ku do të shkëmbehen argumentet për një zhbllokim të mundshëm të nisjes së negociatave të anëtarësimit./Euronews