
Një nga episodet më të pabesueshme të historisë së spiunazhit ndodhi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur Bashkimi Sovjetik i dhuroi ambasadorit amerikan në Moskë një vepër arti – një vulë të madhe të gdhendur prej druri me simbolin e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. Dhurata, e vendosur krenarisht në rezidencën zyrtare të ambasadorit W. Averell Harriman në Spaso House (Rezidenca e Ambasadorit Amerikan në Moskë), do të qëndronte e varur në mur për shtatë vite, duke mbajtur të fshehur një sekret tronditës.
Brenda saj ndodhej një pajisje përgjimi, e njohur më vonë si “Gjëja” – një mekanizëm aq i sofistikuar për kohën, sa u quajt “suksesi më i zgjuar pas Kalit të Trojës”. Pa bateri, pa pjesë elektronike dhe pa lëshuar nxehtësi, ky mikrofon i padukshëm aktivizohej vetëm nga një sinjal me frekuencë të lartë i dërguar nga një ndërtesë përreth. Për vite të tëra, bisedat diplomatike amerikane në Moskë u përgjuan nga shërbimet sovjetike, pa u zbuluar.
Zbulimi i rastësishëm ndodhi vetëm në vitin 1951, kur një radio-operator britanik ushtarak në Moskë kapi pa dashje frekuencën e përdorur për transmetim. Vetëm pas një kontrolli tre-ditor, ekspertët amerikanë arritën të identifikonin se burimi i përgjimit ishte dhurata artistike e varur në murin e rezidencës.

Arti si armë spiunazhi
Pajisja ishte shpikur nga muzikanti dhe inxhinieri rus Léon Theremin – i njohur edhe si krijues i instrumentit muzikor theremin. Ajo tregoi se arti dhe kultura mund të përdoren si mjete të fuqishme mashtrimi dhe infiltrimi. Historianët e sigurisë e kanë cilësuar “Gjënë” si një revolucion teknologjik që ngriti përgjimin akustik në një nivel të paparë më parë.
Për dekada, ekzistenca e saj mbeti sekret shtetëror. Vetëm në vitin 1960, gjatë incidentit të avionit spiun U-2, Shtetet e Bashkuara e ekspozuan publikisht vulën e gdhendur në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të treguar se spiunazhi i Luftës së Ftohtë ishte i dyanshëm.
Sot, historia e saj vazhdon të mbetet një shembull i jashtëzakonshëm i përplasjes mes diplomacisë, teknologjisë dhe artit. Një dokumentar i dedikuar kësaj ngjarjeje do të shfaqet më 27 shtator në Muzeun Kombëtar të Kompjuterit në Bletchley Park, duke risjellë në vëmendje një nga kapitujt më intrigues të spiunazhit global.
Një dhuratë simbolike e miqësisë përfundoi duke u shndërruar në një prej armëve më të fshehta të Luftës së Ftohtë./BBC