
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave shërbimi në dy monumente kulture të kategorisë së parë: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Qëllimi i kësaj nisme, sipas njoftimit zyrtar, është “rijetësimi” i këtyre pasurive kulturore.
Subjektet e interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë janë të ftuara të dorëzojnë dokumentacionin pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, deri më 21 gusht. Megjithatë, dokumentet e shpallura nuk japin detaje mbi sipërfaqen që do të jepet në përdorim, mënyrën e shfrytëzimit apo masat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që mbartin këto objekte.
Kalaja e Lëkurësit ka qenë më parë dhënë në përdorim privat. Një procedurë e ngjashme u propozua në fund të mandatit të qeverisë Berisha në vitin 2013, duke shkaktuar debat të madh publik. Asokohe, Partia Socialiste – në opozitë – u shpreh kundër dhënies me qira të monumenteve kulturore dhe, sapo erdhi në pushtet, anuloi disa prej kontratave, përballje që më pas përfunduan në gjykatë me përfaqësues të biznesit.
Pas njoftimit të fundit nga Ministria, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka dalë kundër kësaj procedure. Përmes një reagimi publik, forumi e ka cilësuar nismën si “një shaka” dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të kalasë së Lëkurësit, duke pyetur nëse ajo është “Picerí apo Trashëgimi Kulturore?”
“Forumi kujton se Kalaja e Lëkurësit, e dhënë me qira që në kohën e ministrit Edi Rama, ishte parashikuar të shndërrohej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Sot, pas më shumë se 25 vitesh, ajo është kthyer në simbol të degradimit, ku vlera kulturore mungon pothuajse tërësisht,” thuhet në reagim.
Sipas Forumit, kalaja – e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine – është kthyer në një kompleks restorantesh dhe kafenesash, duke humbur çdo funksion kulturor dhe historik.
Ndërkohë, Kalaja e Shkodrës, ose e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, mbart jo vetëm historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, por edhe legjendën që i dha emrin – simbol i besës dhe sakrificës, që sot rrezikon të zbehet nën hijen e komercializimit.