
Kërmilli vrastar, oktapodi me unaza blu, krokodili dhe gjarpri-mamba i zi. Këto janë vetëm disa nga krijesat më të rrezikshme që ekzistojnë sot në Tokë.
Më poshtë, lista e plotë e 10 kafshëve më vdekjeprurëse sipas raporteve ndërkombëtare.
Edhe pse përmes filmave apo tregimeve jemi mësuar të mendojmë se kafshët më të frikshme janë peshkaqeni, luani apo tigri, faktet tregojnë se ata shkaktojnë më pak se 100 vdekje në vit. Në renditjen e vërtetë dominojnë krijesa të vogla, shpesh të padukshme, por shumë më vdekjeprurëse.

1. Mushkonjat – vrasëset e padukshme
Mushkonjat janë kafshët më të rrezikshme në botë, përgjegjëse për rreth 750 mijë vdekje në vit. Ato përhapin sëmundje si malaria, tifo, ethet e verdha, virusi i Nilit dhe Zika. Për shkak të transmetimit të sëmundjeve, konsiderohen kërcënimi numër një për njerëzit.

2. Miza Tse-Tse
Kjo mizë e vogël, karakteristike e Afrikës Subsahariane, transmeton sëmundjen e gjumit, një infeksion serioz që shkakton temperaturë të lartë, çrregullime të zemrës, djersitje të fortë, ankth dhe në shumë raste përfundon në vdekje.

3. Hipopotami
Nga kafshët më të rrezikshme dhe më agresive në Afrikë, hipopotami shkakton çdo vit rreth 500 vdekje. Fuqia e nofullës së tij arrin deri në 800 kg forcë në një kafshim të vetëm.

4. Krokodili
Predatori më i lashtë dhe më i fuqishëm i botës së egër. Kafshimi i krokodilit të Nilit arrin deri në 5000 psi, pesë herë më i fortë se ai i hipopotamit. Çdo vit, krokodilët shkaktojnë deri në 1000 vdekje, falë sulmeve të shpejta e të papritura.

5. Oktapodi me unaza blu
Polpi me unaza blu (Hapalochlaena lunulata), një nga cefalopodët më helmuese, jeton në ujërat Indo-Paqësorë. Edhe pse sulmet janë të rralla, helmi i tij është 100 herë më i fortë se cianuri dhe shpesh rezulton fatal.

6. Kërmilli kon – “vrastari”
I bukur në pamje, e rrezikshme në realitet. Ky kërmill detar tropikal, i gjetur në Karaibe, Indonezi dhe Havai, ka gjemba helmues që mund të shkaktojnë paralizë të menjëhershme dhe vdekje nëse nuk jepet trajtim i shpejtë.

7. Bretkosa e artë
Kjo krijesë e vogël nga pyjet e Kolumbisë është një nga amfibët më helmues në botë. Helmi i saj është aq i fortë sa mund të vrasë deri në 10 njerëz me një prekje të vetme.

8. Mamba e zezë
Me shpejtësinë, agresivitetin dhe helmin e saj neurotoksik, mamba e zezë renditet ndër gjarpërinjtë më vdekjeprurës. Ajo konsiderohet gjarpri që ka shkaktuar më shumë vdekje në Afrikë se çdo specie tjetër.
9. Tenjat
Parazitë intestinalë që infektojnë 10–15% të popullsisë botërore, veçanërisht në vendet në zhvillim. Nëse nuk trajtohen, shkaktojnë komplikime serioze që çojnë në 2000–2500 vdekje në vit.
10. Ascaris Lumbricoides
Një tjetër parazit tepër i rrezikshëm që ushqehet brenda trupit të njeriut. Nëse nuk mjekohet në kohë, mund të shkaktojë bllokime të rënda intestinale dhe infeksione fatale.
Megjithatë, si përfundim, specialistët theksojnë se njeriu mbetet kafsha më vdekjeprurëse e planetit, duke shkaktuar çdo vit më shumë se gjysmë milioni vrasje mes njerëzve dhe duke kontribuar në zhdukjen e qindra specieve shtazore.







