Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, theksoi se hyrja në parlament është një mision i domosdoshëm për të përfaqësuar qytetarët dhe për të vijuar betejën kundër qeverisë.

“Qenia jonë në parlament si zëdhënës të demokratëve, të problematikave të tyre, të interesave dhe idealeve që ata mbrojnë, është rruga e vetme për të krijuar impakt pozitiv maksimal dhe për të vazhduar këtë betejë kundër regjimit,” u shpreh Berisha.

Ai akuzoi mazhorancën socialiste se ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe e përshkroi parlamentin si një “strofull kriminelësh”, duke përmendur grupe dhe individë të njohur nga bota e krimit. Megjithatë, sipas tij, opozita duhet të qëndrojë aty për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Berisha e cilësoi si detyrim të çdo deputeti demokrat që jashtë seancave të jetë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, për të njohur dhe ngritur në Kuvend problemet e tyre.

“Kjo është mënyra për t’u ngritur në lartësinë e pritshmërive dhe për të rikthyer besimin e demokratëve, që sot janë të zhgënjyer dhe të dëshpëruar. Misioni ynë është të mos e lëmë Ramën të gëzojë mandatin e katërt,” tha Berisha.

Duke ironizuar luksin e disa ministrave, kreu i opozitës solli si shembull spote kundër korrupsionit në Nepal dhe shtoi se “aksesorët dhe çantat e ministrave në Shqipëri kushtojnë shumëfish më tepër, por ata nuk i fshehin, përkundrazi krenohen me vjedhjet e tyre.”

Në përfundim, Berisha u zotua se beteja e opozitës do të vijojë në të gjitha hapësirat e mundshme, brenda dhe jashtë parlamentit dhe njoftoi se kryetar grupi parlamentar do mbetet Gazment Bardhi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu