Juglindja e vendit vijon të mbetet e izoluar, teksa situata në aksin kombëtar Librazhd–Përrenjas, në zonën e njohur si Arrat e Dragostunjës, po përkeqësohet orë pas ore. Fenomeni i zhvendosjes së tokës dhe fundosjes së rrugës ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit, duke e nxjerrë segmentin plotësisht jashtë funksionit.

Matjet paraprake të kryera në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm tregojnë se niveli i fundosjes ka arritur nga 5 deri në 9 centimetra. Pamjet nga terreni janë alarmante: asfalt i çarë, ura e ndarë në mes dhe deformime të theksuara që e bëjnë kalimin të pamundur dhe tejet të rrezikshëm.

Të dhënat e fundit konfirmojnë se procesi gjeodinamik është ende aktiv, çka shton pasigurinë për stabilitetin e zonës dhe rrezikun për shembje të mëtejshme. Segmenti vijon të mbetet i bllokuar që prej së shtunës, 21 shkurt, duke prodhuar çdo ditë pasoja të rënda për qytetarët dhe bizneset e juglindjes.

Qarkullimi i mjeteve është thuajse i paralizuar. Shumë drejtues po detyrohen të përdorin aksin rural që nis në dalje të Librazhdit dhe përshkon itinerarin Spathar – Rruga Antike Egnatia – Dardhë – Hotolisht, për të vijuar drejt Përrenjasit dhe anasjelltas. Por edhe kjo rrugë alternative po rezulton problematike, pasi nuk është ndërtuar për të përballuar fluks të lartë automjetesh dhe aq më pak për të zëvendësuar një aks kombëtar.

Ndërkohë, qytetarët kërkojnë ndërhyrje emergjente, pasi çdo orë që kalon rrit pasojat ekonomike dhe vështirësitë për lëvizjen drejt juglindjes së vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu