
Juglindja e vendit vijon të përballet me probleme serioze në qarkullim, pasi segmenti rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd–Pogradec, do të mbetet i bllokuar edhe në vijim.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë me dije përmes një njoftimi zyrtar se, ndonëse segmenti pritej të hapej mesditën e sotme, situata është përkeqësuar për shkak të rrëshqitjeve masive të tokës, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve. Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje.
Specialistët në terren po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të lëvizjes vetëm për mjete të vogla dhe automjete emergjencash në një rrugë alternative brenda zonës, por ende nuk ka një vendim përfundimtar.
View this post on Instagram
Rrugët alternative të sugjeruara nga ARRSH
Për autoveturat:
- Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
- Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
- Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës të tregojnë mirëkuptim, të ndjekin me kujdes sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, deri në stabilizimin e plotë të situatës.



