
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim me të rinjtë socialistë të njësive 1, 2 dhe 3 në Tiranë, ku theksoi rëndësinë e votës së tyre më 11 maj dhe sfidat përpara për mbylljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2027.
Rama e cilësoi këtë proces si një “takim me historinë”, duke iu drejtuar votuesve të rinj:
“Ju keni lindur me këmishë. Votimi i parë për ju është takim me historinë dhe një pasaportë europiane.”
Ai e krahasoi momentin aktual me zgjedhjet e vitit 1992, kur shqiptarët u bashkuan për një ndryshim të madh historik, dhe theksoi se edhe më 11 maj shqiptarët kanë një mundësi të rrallë për të vulosur të ardhmen europiane të vendit.
Në fjalimin e tij, Rama kritikoi ashpër opozitën, të cilën e quajti “buf këneta” dhe “shitës qilimash fluturues”, duke theksuar se vetëm Partia Socialiste ka kapacitetin dhe përvojën për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ai paralajmëroi se çdo vonesë në këtë drejtim do të kishte pasoja të rënda për vendin.
“Nëse humbasim edhe këto katër vite, negociatat nuk mbyllen dot në 2027 dhe dera mund të mbyllet për shumë kohë. Nuk kemi kohë për të humbur,” – theksoi kreu i qeverisë.
Rama u ndal edhe te përfitimet konkrete të anëtarësimit në BE, duke përmendur rritjen e buxhetit shtetëror me më shumë se 1 miliard euro në vit, përmirësimin e jetës së pensionistëve, trajtimin e barabartë të studentëve shqiptarë në universitetet europiane dhe eliminimin e barrierave për emigrantët shqiptarë.
Në fund, ai bëri thirrje për mobilizim maksimal:
“Në 28 ditët që kanë mbetur, secili prej jush duhet të sjellë edhe 8 të tjerë. 3 të lëkundur, 3 që janë me ne, dhe 2 nga krahu tjetër. Nëse e bëni këtë, keni kryer detyrën tuaj ndaj historisë.”
Takimi u shoqërua me entuziazëm nga të rinjtë pjesëmarrës, ndërsa Rama e mbylli fjalimin me një thirrje energjike për pjesëmarrje masive në votim dhe për të mos lënë asnjë votë pa marrë.