
Pavarësisht rrezikut të madh për shëndetin publik, 21 ton mandarina të mbushura me pesticidin e ndaluar Fosmet dyshohet se u shitën në tregun shqiptar, në vend që të asgjësoheshin siç pretendonte Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Ky skandal tregon dështimin total të institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë të drejtuar nga Anila Denaj dhe AKU-në e drejtuar nga Fatlli Adilaj në Berat.
Mandarinat u kthyen nga Kroacia pasi u zbulua niveli i lartë i Fosmetit, një pesticid i ndaluar në BE dhe SHBA për shkak të rrezikut të tij të madh për shëndetin. Megjithatë, në vend që të asgjësoheshin, ato u futën në treg me ndihmën e një inspektori të korruptuar të AKU-së, duke vënë në rrezik jetën e konsumatorëve.
Në dhjetor 2024, kur Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) ngriti alarmin, AKU deklaroi publikisht se kishte asgjësuar mandarinat dhe kishte gjobitur grumbulluesin Arben Dyli. Por hetimet e Prokurorisë zbuluan mashtrimin: produktet nuk u asgjësuan kurrë, por u shitën lirshëm në treg!
Rreziku i madh për shëndetin publik
Fosmeti është një pesticid i rrezikshëm që mund të shkaktojë helmim të rëndë, dëmtime nervore, humbje të kujtesës dhe, në raste ekstreme, koma. Ky skandal tregon jo vetëm korrupsionin e zyrtarëve të AKU-së, por edhe dështimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë nga produktet e rrezikshme.
Qytetarët kërkojnë llogari: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë skandal të rrezikshëm për jetën e tyre?/JOQ