
Kryeministri shqiptar vijon përplasjen me Nigel Farage, duke rrëzuar publikisht deklaratat e tij për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar dhe e fton si “mysafir nderi” në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj deklaratave të ish-liderit britanik të UKIP, Nigel Farage, në një përballje publike që po zgjat prej disa ditësh në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare.
Në reagimin e tij të fundit, Rama i kundërvihet pretendimeve të Farage për përfshirjen masive të shqiptarëve në kriminalitet në Britani, duke e ironizuar për ndryshimin e vazhdueshëm të shifrave.
“Nigel, Nigel, Nigel… Nga ‘një kriminel në çdo 50 shqiptarë’, tani thua ‘ndoshta një në tre, ndoshta një në katër’. Vërtet? Nuk e di?”, shkruan Rama në një deklaratë të gjatë publike.
Kryeministri thekson se vetë artikulli i The Telegraph pranon që shifrat janë të nënvlerësuara dhe se në të vërtetë komuniteti shqiptar në Britani i kalon 300 mijë persona — njerëz që, sipas tij, japin një kontribut të çmuar në shoqërinë britanike, nga arsimi te shëndetësia.
“Këta janë njerëz që u mësojnë fëmijëve tuaj, ndërtojnë shtëpitë tuaja, kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj. Nuk janë mish për propagandën post-Brexit.”
Rama i kërkon Farage të pranojë gabimet e tij dhe të mos përdorë një komunitet të tërë si viktimë për retorikë politike. Ai e mbyll reagimin me një ftesë zyrtare për ta pritur Farage në Shqipëri si mysafir nderi, me synimin për të folur për fakte dhe jo për fantazi post-truth.
“Britania është e madhe pikërisht për shkak të diversitetit, rezistencës dhe forcës multikulturore. Le të flasim për fakte, jo për mite.”
Ky është reagimi më i fundit i kryeministrit shqiptar në një debat që ka marrë vëmendje të gjerë në mediat britanike dhe shqiptare.