
Pas një pezullimi të përkohshëm, emisioni i njohur “Jimmy Kimmel Live!” do të rikthehet në transmetim të martën, ka njoftuar Disney në një deklaratë zyrtare.
Vendimi për pezullimin e programit erdhi pas komenteve që moderatori bëri në monologun e tij javën e kaluar, lidhur me vdekjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, i cili u qëllua për vdekje në një incident që ka tronditur opinionin publik në SHBA.
“Javën e kaluar morëm vendimin të ndërprisnim prodhimin e programit për të shmangur tensione të mëtejshme në një moment emocional për vendin tonë. Komentet u konsideruan të papërshtatshme dhe të pandjeshme për momentin,” – tha Disney.
“Pas disa ditësh bisedimesh me Jimmy-n, vendosëm që ai të rikthehet në ekran të martën.”
Pezullimi i Kimmel-it nxiti një reagim të madh në industrinë e argëtimit. Mbi 400 figura të njohura të Hollivudit, përfshirë Jennifer Aniston, Meryl Streep dhe Robert De Niro, nënshkruan një letër të hapur në mbrojtje të moderatorit, duke e quajtur pezullimin “një moment të errët për lirinë e shprehjes”.
Në letrën e tyre thuhej:
“Përpjekjet për të ushtruar presion ndaj artistëve, gazetarëve dhe kompanive për shkak të mendimeve të tyre, përbëjnë një goditje në zemër të asaj që do të thotë të jetosh në një vend të lirë. Ky është momenti për të mbrojtur lirinë e fjalës në mbarë kombin tonë.”
Jimmy Kimmel vetë kishte shprehur ngushëllime në rrjetet sociale ditën që Kirk u vra, por komentet e tij gjatë emisionit u konsideruan të tepruara nga disa grupe konservatore, të cilat kërkuan pezullimin e tij.
Rikthimi i tij në ekran pritet të jetë një nga momentet më të ndjekura televizive të javës në SHBA.