
Koha e Jimmy Kimmel në televizion nuk ka mbaruar ende.
Disney dhe ABC do të rikthejnë komedianin në programin e tij duke filluar nga mbrëmja e së martës pas një vendimi që “Jimmy Kimmel Live” të pezullohej për një periudhë të pacaktuar.
“Të mërkurën e kaluar, ne morëm vendimin për të pezulluar produksionin e programit për të shmangur një situatë të përndezur në një moment të ndjeshëm për vendin tonë. Është një vendim që e morëm sepse ndiem që komentet ishin në kohën e gabuar dhe të pandjeshme”, tha kompania përmes një deklarate. “Ne kemi bërë bisedime të thella me Jimmy dhe pas tyre, kemi marrë vendimin që ta rikthejmë programin të martën.”
Vendimi i Disney për të hequr një nga figurat më të famshme të ekranit u mor pasi Nexstar Media dhe Sinclair, dy rrjete të mëdha kanalesh, thanë se do ta ndalonin programin pas një monologu të Kimmel të hënën e shkuar ku ai komentoi vdekjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.
Njoftimi erdhi pasi drejtuesi i Komisionit Federal të Komunikimit, Brendan Carr, u tha transmetuesve se ata duhet të anashkalonin Kimmel dhe të detyronin ABC që ta hiqte.
Largimi i Kimmel shkaktoi protesta të forta kundrejt Disney nga komuniteti i argëtimit. Të hënën, mbi 400 emra të njohur që kanë krijuar edhe personazhe të paharrueshme për gjigantin e argëtimit, firmosën një letër për Unionin Amerikan të Lirive Civile ku denonconin dëmtimin e fjalës së lirë në SHBA. Avokatë të Amendamentit të Parë nga të dy krahët politikë kanë denoncuar situatën në ditët e fundit.
Vendimi për rikthimin e Kimmel u miratua nga CEO i Disney, Bob Iger dhe bashkëdrejtuesja e Disney Entertainment, Dana Walden. Sipas një burimi për Variety, ata vepruan për çfarë ishte më e mira për kompaninë dhe jo duke u mbështetur te faktorët e jashtëm. Mbetet ende e paqartë nëse aleatët e ABC do ta transmetojnë programin e Kimmel.
Njëkohësisht, nuk duhet nëse Jimmy Kimmel do të kërkojë falje për komentet e tij, por gjithçka që ai dhe Disney kanë rënë dakord, do të shihet mbrëmjen e së martës./klan lajme