Një 21-vjeçar nga Kamza është shpallur në kërkim nga policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka kanosur me armë të ftohtë familjarët e ish-kandidates për deputete të Partisë Demokratike, Matilda Qurku.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë restorantit në pronësi të familjes së Qurkut. Mariglen Bajrami, 21 vjeç, është konfliktuar verbalisht me familjarë të Qurkut dhe më pas, i është afruar babait të saj, duke mbajtur të fshehur nga pas një thikë. Ngjarja është filmuar dhe i është përcjellë policisë, e cila ka shpallur në kërkim të riun.

Vetë Qurku në një reagim në Facebook ka shkruar:

“Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë.
Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim.
U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti.
Kur nipi pa armën, i thotë:
“Jepi gaz se ka armë!”
Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:
“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”
Babai im ishte shumë pranë agresorit.

Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë.
Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër. Agresori largohet… por jo për t’u ndalur.

Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.

Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste:
“Na ndihmo, po na vret!”
është diçka që s’do ta harroj kurrë.

Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste – pa bërë asnjë faj.

E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.

Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë:
SIGURI dhe DREJTËSI.

👉 Veprim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit për të kapur autorin
👉 Mbrojtje për familjen time.
👉 Zbatim të ligjit për të gjithë.

P.S:
Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu