
Sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet sot në një festë të madhe me hitet që kanë bërë historinë, të kënduara nga Jenny e grupit suedez Ace of Base.
Këngët “The Sign”, “All That She Wants”, “Beautiful Life” dhe shumë të tjera do të rikthehen në skenë, këtë herë live në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale një videomesazh të ikonës së pop-it Jenny nga Ace of Base, teksa ftoi qytetarët të bëhen gati për një supermbrëmje nën ritmet e viteve ‘90.
“Ikona e pop-it, Jenny nga Ace of Base ka një mesazh special për ju… dhe një ftesë që nuk refuzohet. Sot, Sheshi ‘Skënderbej’ do të shndërrohet në një festë të madhe me hitet që kanë bërë historinë! ‘The Sign’, ‘All That She Wants’, ‘Beautiful Life’ dhe shumë të tjera do të rikthehen në skenë, këtë herë live në Tiranë për një super mbrëmje nën ritmet e viteve ‘90″, u shpreh Rama.
Përmes videomesazhit të saj, ikona e pop-it fton të gjithë që në 17 qershor të mbushin sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku do të performojë këngët hit të Ace of Base të viteve ’90 dhe do të këndoj të gjitha këngët.
“Jeni të ftuar në këtë mbrëmje dhe le të kërcejmë”, u shpreh Jenny në videomesazhin e saj.
Koncerti i këngëtares Jenny nga grupi legjendar “Ace of Base” është pjesë Javës Kulturore Suedeze në vendin tonë që vjen me aktivitete të ndryshme.
Java Kulturore Suedeze ka pjesë të saj muzikën, ekspozitat dhe aktivitete e tjera, ndërsa nis më 13 qershor. Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikpresë kulturën e artin suedez./atsh