
Jennifer Aniston po shijon pushimet verore në Majorka dhe, këtë herë, nuk është vetëm.
Aktorja e njohur nga seriali i famshëm “Friends”, u fotografua mbi një jaht luksoz në momente të afërta me të përfolurin partner të saj, Jim Curtis, një autor i njohur dhe trajner personal zhvillimi (life coach).
Në fotot e publikuara nga Page Six, Aniston shfaqet e qetë dhe me stil, veshur me një bluzë të zezë pa mëngë, ndërsa Curtis, i veshur me këmishë të zezë me mëngë të shkurtra, i bën masazh në shpatulla.
Në një tjetër moment të kapur nga kamerat, ai e ka përqafuar aktoren dhe i mban dorën në mënyrë të përzemërt.
Kjo nuk është hera e parë që dyshja shfaqet së bashku në publik. Muajin e kaluar, ata u panë së bashku në resortin luksoz Ventana Big Sur në Kaliforninë Veriore.
Edhe pse as Aniston dhe as Curtis nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht marrëdhënien, fotot e fundit vetëm sa i forcojnë më shumë thashethemet që po qarkullojnë së fundmi.