
“JENNA”, një këngë e re për këngëtaren shqiptaro-norvegjeze Mari D’Oro, që flet për heshtjen e thellë. Autori i këngëve, Erjon Zaloshnja, dhe producentja Angus Dei prezantuan një tjetër prodhim të Superstudio-s, këngën “Jenna”, interpretuar nga D’Oro.
“Sot ndajmë me ju një krijim që lindi nga dhimbja. “Jenna” – një këngë nga Erjon Zaloshnja dhe Angus Dei, që rrëfen një histori të dhimbshme, por të jetuar vërtet nga artistja Mari D’Oro. Në fluturat e fundit të pranverës, një yll u fik para kohe, duke lënë pas vetëm kujtimin e një shpirti të brishtë 16-vjeçar, që e gjeti peshën e botës tepër të rëndë për ta mbajtur. Kjo këngë është një dritare e hapur drejt shpirtrave të ndjeshëm që lëvizin nëpër hije, një thirrje për t’i parë, për t’i dëgjuar dhe për t’i dashur para se të hapin krahët për fluturimin e fundit,” – shprehet Zaloshnja.
Ai u bën thirrje jo vetëm admiruesve të këngëtares, por edhe kujtdo që është i ndjeshëm ndaj fenomenit të vetëvrasjes te të miturit, i cili duhet dhe mund të parandalohet, që ta shpërndajë këtë mesazh përmes artit.
“Ndajeni këtë mesazh. Ndoshta do të arrijë tek dikush që ka nevojë ta dëgjojë sot.”/AIA.AL