
Pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka deklaroi se ai dhe pesë deputetë të tjerë të opozitës janë përjashtuar nga aktiviteti parlamentar deri në mesin e muajit mars.
Sipas Nokës, vendimi është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama dhe synon, siç u shpreh ai, “marrjen peng të Kuvendit” dhe përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar.
“Rama ka kërkuar përjashtimin e opozitës. Afati i përjashtimit po shtyhet në kundërshtim me çdo rregullore. Është thënë një muaj dhe u kthye në tre muaj. Gjashtë deputetë të opozitës janë përjashtuar deri në mes të marsit. Edi Rama ka shpallur armiq ata që kanë denoncuar kartelet e drogës. Vendimin do ta çojmë në gjykatë,” u shpreh Noka.
Nga ana tjetër, Byroja e Kuvendit la në fuqi masën ndëshkimore prej 30 ditësh pune për gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, të ndëshkuar për ngjarjet dhe kaosin e krijuar në seancën e fundit plenare të vitit të kaluar. Kjo masë i mban deputetët jashtë Kuvendit deri në ditët e para të marsit.
Në mbledhjen e Byrosë pati debate mes mazhorancës dhe opozitës, me deputetët demokratë që e cilësuan ndëshkimin si të padrejtë dhe politik. Deputeti Gazment Hoti deklaroi se përjashtimi erdhi si pasojë e protestës së opozitës kundër zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Jemi ndëshkuar sepse protestuam që Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK sipas pretendimeve tona, të mbante përgjegjësi politike. Në çdo vend demokratik, një zyrtar i akuzuar nga drejtësia jep dorëheqjen,” tha Hoti.
Në përfundim të mbledhjes, deputetët e PD-së paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës Administrative, e cila më herët ka rrëzuar vendime të Kuvendit për përjashtimin e deputetëve të opozitës.






